“Certifikata e martesës” shkruar nga Ephraim Kishon me regji nga Driada Dervishi është një komedi sociale e filozofike. Pas 30 vitesh bashkëjetesë, çifti Meleku kujtohen që nuk dinë ku është certifikata e martesës. A varet realisht martesa nga një certifikatë? Dhe më e rëndësishmja, pas 30 vitesh a do të martoheshe sërish me burrin a gruan që ke? Një komedi sociale e filozofike, e cila për pesë net me radhë do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar të “ArTurbina” në Tiranë. Rolet në vepër luhen nga aktorët Gentian Zenelaj, Olta Daku, Vlera Pylla, Xhuliano Brisku, Mimoza Marjanaku dhe Amri Hasanlliu. Përpara se të vinte në skenën e Tiranës për publikun kryeqytetas kjo shfaqje teatrore ishte në muajin nëntor edhe në skenën e qytetit të Fierit. Me rol në këtë komedi aktori Xhuliano Brisku tregon se publiku i mirëpriti në teatrin “Bylis” në Fier. “Ka pasur shumë sukses. Kanë qenë tre shfaqje plot me publik”, tregon aktori Xhuliano Brisku, i cili në këtë komedi vjen me rolin e Robertit. Përkthyes i veprës Artur Lena, kompozitor Endri Sina, skenograf Kiço Çala dhe kostumografe Ermela Marku. Është mjaft e rëndësishme të shkruash për njerëzit e zakonshëm, sepse mbretërit dhe presidentët shkojnë e vijnë, ndërsa hidrauliku duhet përherë, pra qëndron gjithmonë. Pikërisht kjo e bën atë një njeri me një rëndësi mjaft të veçantë, kjo është arsyeja sipas autorit Ephraim Kishon që komedia “Certifikata e martesës” ka një sukses të jashtëzakonshëm. Autori Ephraim Kishon është quajtur satiristi i më i madh izraelit, me më shumë se 50 libra të përkthyer në 37 gjuhë me 43 milionë kopje. Libri i tij “Lezetet e familjes” i sjellë në shqip nga Robert Shvarc, thuhet se është libri më i shitur në hebraisht pas Biblës.
Regjisorja dhe aktiviteti me teatrin
Vepra teatrore “Certifikata e martesës” do të jetë në datat 16, 17, 18 dhe 19 dhe 20 dhjetor te salla e madhe te “ArTurbina”. Regjisorja Driada Dervishi vjen me këtë komedi për publikun në vijim të aktivitetit të saj me teatrin. Prej 20 vitesh regjisore, pas diplomimit me vlerësime maksimale me dramën “Babai” nga August Strindberg, kryen një specializim mbi teatrin bashkëkohor në Modena (Itali), i mbështetur nga Emilia Romagna Teatro me regjisorin Pippo Delbono. Fillon punë në vitin 2004 në teatrin profesionist “Aleksandër Moisiu”, duke ftuar herë pas here dhe aktorë të njohur të skenës teatrore, ajo realizon 27 premiera si: Revizori (N.Gogol), Martesa (A.P.Çehov), Të jesh a të mos jesh i ndershëm sipas (The importance of being Earnest) (Oscar Wilde), Stjuardesat (Mark Camoletti), Suita 51 (Neil Simon), Kush do të bëhet milionarius? (Hristo Boytchev), Seancë e jashtëzakonshme në parlament (Ray Cooney), etj. Në aktivitetin saj regjisorja Dervishi realizon bashkëpunime me teatro të tjerë si: me Teatrin Kombëtar me komedinë satirike “Ferma e Kafshëve” të shkrimtarit George Orwell, tragjikomedinë “Sonte luajmë pa tekst” nga Luigi Pirandello dhe “Vanja, Sonja dhe Masha” nga Christopher Durang, me Teatrin “Petro Marko” me shfaqjen “Ah paratë! Paratë!”, me Teatrin “Andon Zako Çajupi” me “8 Femra” nga R.Thomas, etj. Dervishi është e para regjisore që solli në amfiteatrin e Durrësit një komedi nga William Shakespeare, “Ëndrra e një nate vere”, “Binjakët” (Menehmët) nga Plauti dhe “Martesa” nga Çehov.