Në ditët në vijim, qarkullimi në faqen e Zana Avdius në Facebook u rrit me më shumë se 700 për qind. Ajo mori 11,000 komente; në ato më të padëmshmet ajo akuzohet se është paguar nga serbët.
Rasti i fushatës së sharjeve dhe kercënimeve të cilës po i nënshtrohet feministja dhe gazetarja Zana Avdiu pas etiketimit të Granit Xhakës si “rrugaç”, po bën jehonë të madhe në mediat në gjuhën gjermane dhe, për shkaqe të kuptueshme, veçanërisht në ato zvicerane.
Kështu, gazeta e së dielës “SonntagsZeitung” (botim javor i grupit medial rreth gazetës Tages Anzeiger) ka publikuar sot një intervistë të zgjeruar me Zana Avdiun dhe krahas kësaj, edhe një analizë rreth “Rastit Xhaka”.
“Zana Avdiu, feministja (sipas gazetës) më e shquar e Kosovës, nuk e miratoi gjestin e Granit Xhakës gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi. Si rezultat, babai i Xhakës kërcënoi atë drejtpërdrejt në televizion – dhe që atëherë ajo ka nevojë për mbrojtje nga policia”, shkruan gazeta, transmeton albinfo.ch.