Rreth 15 familje në njësinë administrative të Katundit të Ri ndodhen nën ujë që nga orët e para të mëngjesit të sotëm.
Banorët e zonës kanë dërguar video në redaksinë e “DurrësLajm” ku duket uji që ka depërtuar nëpër banesat private të zonës, ndërkohë që dhe rrugët janë të mbuluara nga uji, që në disa vende arrin deri në 50 cm.
Banorët e zonës thonë se deri më tani asnjë autoritet nuk ka shkuar për t’i parë nga afër dhe për të llogaritur dëmet e shkaktuara nëpër banesa.
Sipas banorëve, shkak për përmbytjen e këtyre shtëpive është bërë dalja e lumit Erzen nga shtrati, sepse nuk është ngritur argjinatura që do t’i mbronte kato shtëpi nga vërshimi i ujit.
Ka qenë ora 03.00 e mëngjesit të sotëm kur uji ka nisur të depërtojë në katet e para të banesave duke shkaktuar dëme të shumta në orenditë shtëpiake.
Banorët rrëfejnë se kjo është përmbytja e parë për këtë vit, ndërkohë që hera e fundit kur kanë qenë nën ujë ka qenë vitin e kaluar.
M.B.