Një nga njerëzit më të rëndësishëm të fillimit të viteve 1920 dhe me një ndikim të jashtëzakonshëm deri në fillimin e viteve 1960 është i pakrahasueshmi Kostandin Tashko, ose siç e njohim të gjithë, Koço Tashko. Koço ka lindur në 1899 dhe ka qenë fëmija i madh nga gjashtë fëmijët që kishte atdhetari dhe intelektuali Athanas Tashko.
Shtëpia e Athanasit ka qenë një nga pikat kryesore për të gjithë patriotët që kalonin nga këto anë. Ndër ta Jani Vruho, Anton Çako, Bajo Topulli, Filip Shiroka, Aleksandër Xhuvani, Fan S. Noli e shumë të tjerë. Kjo ishte bota ku u rrit dhe u edukua Kostandini dhe kështu shpjegohet edhe ndjenja e madhe e dashurisë për atdheun. Nuk ishin të pakta rastet kur ai shoqëronte edhe të atin në Dhomën e Flamurit kur mblidheshin në kuvend burrat mëmëdhetarë.
Në Egjipt kishte shumë shqiptarë, por komunitetin më të madh të emigrantëve e përbënin grekët. Pra, kur dilnin fëmijët e Athanasit në rrugë të luanin me fëmijët e tjerë ishin të detyruar të flisnin ose arabisht ose greqisht, pasi shqip ata mund të flisnin vetëm në shtëpi. Kur Kostandini arriti moshën për të shkuar në shkollë, ai u dërgua në fillim në një shkollë arabe, ku mësonte të shkruante arabisht, kjo për shkak se Athanasi e quajti të udhës që djali të mësonte arabishten.