Në mëngjes herët, si gjithmonë, tregtarët ishin mbledhur për të shitur dhe shkëmbyer mallrat e tyre. Vjen një grua dhe bën shenjë me dorë, njëri prej tregtarëve afrohet dhe e pyet: Me se mund të ju ndihmoj zonjë? Ajo u përgjigj: Kam nevojë për një nder dhe do të të shpërblej me dhjetë napolona ari.
Tregtari: Më thuaj zonjë, çfarë nderi? Gruaja: Prej më shumë se dhjetë vitesh, im shoq ka shkuar në betejë dhe nuk kemi asnjë haber nga ai. Tregtari: Zoti ta sjelltë shëndoshë e mirë! Gruaja: Kam nevojë për dikë që të vije me mua tek kadiu dhe të prezantohet si burri im dhe të kërkojë shkurorëzimin. Edhe
unë kam të drejtë të jetoj si të gjitha gratë e tjera. Tregtari: E drejtë zonjë, për dhjetë napolona floriri vij unë. Dhe kështu pasi ranë në ujdi, shkuan që të dy dhe u paraqitën tek kadiu duke i shprehur shqetësimin e tyre. Kadiu: A je ti burri i kësaj gruaje? Tregtari: Po zotëri. Kadiu: A është e vërtetë që
kërkon të ndahesh prej saj? Tregtari: Po zotëri, e vërtetë është. Pastaj kadiu iu drejtua gruas: Po ti a pranon të shkurorëzohesh prej tij? Gruaja u përgjigj: Po zotëri, pranoj. Duke qenë se nuk kishte asnjë kundërshtim dhe të gjithë ishin dakort, kadiu miratoi shkurorëzimin midis tyre. Pasi përfundoi
procedura, gruaja tha: Kadi efendi! Ky burrë më ka lënë të vetme prej dhjetë vitesh dhe nuk ka shpenzuar asnjë kacidhe për mua. Jam e zhytur në borxhe deri në fyt, prandaj kërkoj që të më rimbursojë shpenzimet e dhjetë viteve si edhe shpenzimet e shkurorëzimit. Kadiu i drejtohet burrit:
Përse nuk i je përgjigjur financiarisht gruas gjithë këto vite? Tregtari i shastisur mendoi me vete, “Ah ç’ma hodhi e poshtra”, dhe i zënë ngushtë u përgjigj: Kam qenë i zënë i nderuar dhe nuk kam patur mundësi të komunikoj me të. Kadiu vendosi: Atëherë, të urdhëroj ti paguash menjëherë dy mijë
napolona gruas tënde. Burri ishte në siklet të madh, nuk dinte çfarë të bënte. Nëse e mohonte dhe tregonte të vërtetën, atëherë do ta dërgonin në qeli dhe do ta dënonin për dëshmi të rreme. I ndodhur në këtë pozitë, pranoi të paguajë dhe tha: Si urdhëron kadi efendi! Të dyja palët u larguan, por me një
ndryshim goxha të madh në xhepat e secilit prej tyre. Mësimi: Mos i hyr një pune së cilës nuk ia di fundin. Së pari shpresoj që të ju ketë pëlqyer miq, dhe po e mbyll postimin e sotëm me një tregim shumë të shkurtër por shumë të bukur dhe ju kërkoj të mos përtoni por të vijoni me leximin: Djali i vogël
pyeti të atin: Babi, sa i madh është Zoti? Babai vuri re një aeroplan teksa fluturonte në qiell, drejtoi gishtin drejt tij dhe i tha të birit: Sa i madh është aeroplani bir? Vogëlushi përgjigjet: Është shumë i vogël, mezi e shoh. Duket sa një mizë. Babai e mori të birin dhe shkuan në aeroportin e qytetit për të parë një
aeroplan nga afër. Pasi mbërritën, pyeti të birin: Tani më thuaj, sa i madh është aeroplani? Djali i habitur përgjigjet: Uaa qenka shumë i madh! Babai buzëqeshi dhe i tha të birit: Në mënyrë të ngjashme me aeroplanin bir, madhësia e Zotit varet nga distanca ndërmjet teje dhe tij. Sa më pranë tij të jesh, aq më i
madh është ai në jetën tënde. Miq po e mbyll me një këshillë serioze që mendoj se do ju vlejë shumë në jetë: Edhe njerëzit më të mirë kanë limitet e tyre. Mos i provokoni dhe mos u bini më qafë më shumë nga ç’duhet, mos provoni të arrini limitet e tyre dhe mos e çoni deri në pikë të fundit, sepse njeriu i mirë
mund të kthehet në përbindëshin më të frikshëm që ju kanë zënë sytë nëse i mbushet kupa. Shpresoj që të ju ketë pëlqyer postimi për sot, nuk më mbetet tjetër vetëm se të ju falenderoj nga zemra që më ndiqni dhe mos harroni këshillën tonë të famshme por shumë të vyer: mendjen në vend, të tjerat rregullohen të gjitha.