Serbët në veri të Mitrovicës kanë nisur protestën, ndërsa tensionet janë rritur pas dorëheqjes masive të zyrtarëve dhe kryetarëve të komunave serbe në Kosovë.
Dhjetra qytetarë kanë dalë në rrugët e qytetit, ndërsa në protestë dëgjohet muzikë dhe thirrjet “Serbi, qeshu!”.
Pak ditë më parë qeveria e kryeministrit Albin Kurti vendosi shkarkimin e shefit serb të policisë në veri të Mitrovicës, pasi refuzoi të zbatonte marrëveshjen e targave. Një ditë më pas, të gjithë policët serbë të qytetit vendosën të largohen nga puna në shenjë ptoteste.
Situata është tensionuar më tepër sot kur zyrtarët serbë të strukturave paralele, por edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe dorëzuan detyrën.
Sakaq, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar se do të dalë në deklaratë për media mbrëmjen e sotme në orën 21:00 lidhur me këtë çështje.
Trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë deklaruar se janë të gatshme të ndërhyjnë menjëherë nëse do të ketë tensionime të situatës.