Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar ditën e sotme se disa nga ambasadorët e huaj në Shqipëri mashtrojnë qeveritë e tyre për të mbuluar qeverinë shqiptare.
Këtë deklaratë Berisha e bëri sot gjatë një bashkëbisedimi virtual me qytetarët në Facebook. Ndonëse nuk citoi emra, theksojmë se Berisha vazhdimisht ka hedhur akuza në drejtim të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, të cilës i referohet me termin “guvernatore.”
“Këtu ambasadorët mashtrojnë qeveritë e tyre në mënyrë monstruoze dhe mbulojnë qeverinë shqiptare. Disa ambasadorë, jo të gjithë, por ka prej tyre që veprojnë në këtë mënyrë”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri Berisha lëshoi akuza të forta në lidhje me sulmet kibernetike ndaj sistemeve digjitale në vend ndërsa shtoi se tashmë kufiri në Shqipëri nuk punon më.
“Sistemi E-Albania u hackeruan nga hackerat e qeverisë që s’ka ligj as moral. Hakerat nxorën në treg rrogat dhe postet e SHISH, duke kërcënuar dhe sigurinë e NATO-s. Në treg u nxorën dhe të dhënat e patronazhistëve. Në treg u nxorën rrogat para se të nisin hackerat. Hackerat e tyre ndërhynë. Ky ishte agresion që e dënoj me të madhe. Sistemi TIMS u hakerua nga bandat kriminale të mbështetura nga lart. Sistemi Memex u hakërrua nga bandat kriminale për të hequr emrin e tyre” , tha kryedemokrati.