Avokatja dhe zyrtarja e Partisë Demokratike të Rithemeluar, Adriana Kalaja ka shpallur kandidaturën për të garuar në primaret për Bashkinë e Tiranës. Zyrtarisht, nga PD janë katër kandidatë që do të kërkojnë nga demokratët votëbesim për kryeqytetin.
Kalaja mban detyrën e kryetares së Komisionit të Apelimit në PD, ose ndryshe gjykata e partisë. “Në orën 11.15 Avokatja Adriana Kalaja do të prezantojë kandidaturën për primare për Bashkinë e Tiranës”, ka njoftuar zyra e shtypit e PD.
Avokatja është dhe përfaqësuese e Aleancës për Teatrin dhe drejton grupin e aktorëve dhe artistëve të tjerë të cilët kanë depozituar disa kallëzime në SPAK për shembjen e godinës.
“Ka shumë gjëra, që mund të flasësh sot në lidhje me shkatërrimin e Tiranës, por mbi të gjitha mungesa e theksuar në respektimin e ligjit, si edhe shkelja me vetëdije e tij si në rastin e Unazës së Re, Bregut të Lumit, 5 Maji, Laprakë, Paskuqan, Baldushk e gjetkë dhe që kulmoi me shembjen e Teatrit Kombëtar.
Këto dëshmojnë alternativën që ka paraqitur Erion Veliaj dhe ata që i shërbejnë atij në gjithë këta vite.
Ndaj sot më shumë se kurrë, duhet një alternative serioze për shpëtimin e Tiranës, për ta pastruar atë nga çibani Erion Veliaj dhe gjithë çibanët e betonit shumëkatësh, që kanë mbirë me firmën e tij nëpër Tiranë”, tha Kalaja teksa u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 12 nëntorit.
Aktualisht, me kandidaturën e sotme të Adriana Kalasë, në garën e primareve të Partisë Demokratike janë Gert Bogdani, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti. Po ashtu, kandidaturën e ka shpallur edhe Kujtim Gjuzi, por nuk dihet nëse do të jetë në garën e PD.