Categories
Uncategorized

Apolonia nëpër analet e historisë – Nga Aleksandra Mano

Bibliografia për qytetin antik të Apolonisë është relativisht e gjerë dhe e shumanshme. Nuk pretendoj që në një kumtesë të jenë shfrytëzuar të gjitha burimet e shkruara që bëjnë fjalë për këtë qytet siç mund të kërkohet nga titulli. Kam hezituar në fillim të marr përsipër trajtimin e kësaj kumtese: “ Apolonia nëpër analet e historisë”, jo aq për shtrirjen dhe kompleksitetin e temës, se sa për vështirësinë që paraqet renditja e të gjitha të dhënave që mund të nxirren nga këto anale ose për të afruar interpretime të reja të tyre, që në shumë raste do të kërkonim studime të veçanta e më të thelluara.

Pra për aq sa na lejon koha po paraqes shkurtimisht atë që kam trajtuar më gjerësisht në një studim tjetër (Vështrime historike mbi Apoloninë e Ilirisë, në proces botimi).

Për historinë antike të Apolonisë ka të dhëna me vlerë nga autorët e lashtë grekë e latinë. Në përgjithësi ato janë të kufizuara, fragmentare dhe të përqendruara më tepër në ngjarjet politike dhe luftarake të kohës. Lajmet e para për Apoloninë e Ilirisë i kemi që në shekujt VI-V p. e. sonë nga historianë të shquar grekë: Hekateu i Miletit, historian dhe gjeograf i shek. VI p. e. s. në veprën e tij Europa, përmend Apoloninë si qytet me tipare të një polisi. Në veprën e Herodotit Historia (Libri IX, 92,93,94) gjejmë të dhëna me interes për tokat, kullotat, rritjen e dhenve, për legjendat, mitet, kultet, orakujt si dhe mënyrën e jetesës në Apoloni. Te Thuqididi kemi vetëm një njoftim të shkurtër në të cilin thuhet se Apolonia ishte koloni e korinthasve (Historia, libri I, 26,2). Në shekujt që pasojnë, gjatë periudhës helenistike dhe më vonë shtohet muri i lajmeve për këtë qytet.

Midis njoftimeve me karakter gjeografik për krahinat bregdetare të Ilirisë që japin Skylaksi (Ps. Seyl. Periplus Illyriai, 26); Skymni (orbis descriptio, 435); Straboni (strab. Geographica, Libri VII, 8,5,4,7,7,57, a; Libri VIII, 32,3) dhe Apollodori (Apollod. Epic. 12,5b), nuk lënë pa përmendur Apoloninë dhe interlandin e saj. Nga Aristoteli (Polit. Libri IV, 4; V, 1) kemi kumtime të rëndësishme mbi organizimin shtetëror të Apolonisë si dhe disa njoftime të tjera me karakter ekonomik për Taulantët dhe fise të tjera që banonim në afërsi të qytetit Apoloni (Aristot. De mirab. Ausc. 832 a; 833 a; 839 b, 104; 842 b, 127,128).

Të dhëna të rëndësishme historike na japin Polybi dhe Tit Livi të cilët trajtojnë luftërat iliro-romake dhe ngjarje të tjera të viteve 229-146 p. e. sonë që u zhvilluan në trojet e Ilirisë së Jugut. Polyb, Historiae, Libri II, 9,1; 11,5; Libri V, 109 (4-6); 110 (1-5); Libri VII, 9 (1-14); Liv. Ab. urbe condita, Libri XXIV, 40(1-17); Libri XXVI, 25(1-2); Libri XXIX, 12(1-14); Libri XXXI, 18(9); 27(1-8); 33(1-11); 40(4-6); Libri XXXIII, 3(9-10o), 34(1-11); Libri XXXVIII, 1,3(6-9); Libri XLII, 36(8); Libri XLIII, 21; Libri XLIV, 30(10-14); Libri XLV, 17(1-4), 18(3-8), 43(10). Në këto lajme bëhet fjalë dhe për, qëndrimin që mbajti Apolonia dhe banorët e saj gjatë kësaj periudhe plot me kontradikta të thella e konflikte të armatosura midis fuqive më të rëndësishme të botës mesdhetare, Ilirisë dhe Maqedonisë nga njëra anë dhe Romës nga ana tjetër. Në ligjëratat e oratorit të shquar Ciceroni kundër M. Antonit, (cicër. M. Anton, 11) veçojmë cilësimin e tij për Apoloninë si një qytet të madh e hijerëndë (“ Magna urbs et gravis”), ndërsa në një ligjëratë tjetër kundër Pisonit, oratori romak jep të dhëna me shumë vlerë për shfrytëzimin e egër dhe shkatërrimin që pësuan gjatë sundimit romak shumë krahina dhe qytete të Ilirisë, midis të cilave edhe Apolonia. (cicer. Pison. 35,40).

Ditari i Jul Cezarit mbi luftën civile paraqet interes të veçantë për historinë e Apolonisë në vitet 40-50 p. e. s. Lufta e përbashkët midis Cezarit dhe Pompeut, që kishte filluar në Itali, zhvillohet më pas në krahinat midis Apolonisë dhe Dyrrahut. Në këtë ditar gjejmë të dhëna të rëndësishme mbi gjendjen e rëndë ekonomike në krahinat ku ishin vendosur ushtritë ndërluftuese si dhe për përkrahjen që i dha paria apoloniate Cezarit gjatë luftës Civile.(Caes. B. Civ. Libri III, 5(12); 6(1-13); 11(1-0.4); 12(1-4); 13(1-6); 25(1-2); 42(1-5); 75(1-5); 78(1-6); 79(1-3). Nga fragmentet e ruajtura së biografisë prej August Oktavianit të Nikolla Damaskut (Fragmenta, 17,105) informohemi mbi disa privilegje dhe për një autonomi që iu dha Apolonisë nga perandori Oktavian Augusti, i cili kishte kryer dhe studimet në këtë qytet.(Paterc, Historia Romana, Libri II, 4; Svet. Aug. Libri II, 2(8); 1(89); 12(94).

Mirënjohjen ndaj qytetit, që i kishte dhënë arsim e kulturë, si dhe përkrahje në çaste të vështira, perandori i ri Oktaviani për këto do ta shpallte Apoloninë Civitus libera et immunis. Me dhënien e statusit “ të një qyteti të lirë” disa qyteteve e krahinave ilire, midis të cilave edhe Apolonisë, Roma synonte forcimin e pozitave të saj në Iliri dhe Ballkan, duke krijuar baza të rëndësishme ushtarake dhe aleatë të mundshëm për veprimet luftarake të mëvonshme në këto treva. Gjatë shekujve të parë të erës sonë sundimtarët romakë bëjnë përpjekje për të vendosur një stabilitet politik dhe ekonomik në krahianat e pushtuara. Tek autorët latinë të kësaj periudhe si Plini, Dion Kasi, Eliani etj., gjejmë të dhëna të rëndësishme mbi gjeografinë dhe ekonominë e Ilirisë, si dhe njoftime mbi praninë e asfaltit në trevën përrreth Apolonisë.(Plin, Naturalis Historia, Libri XVI, 12(23); libri XXIV, 7(25); Libri XXXV, 15(51); Cass. dio. Historia Romana, Frag. libri XLI, 1(45); Ael. Vara Historia, Libri XIII, 16).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *