Detaje të reja nga aksidenti tragjik në Reggio Emilia të Italisë, ku humbën jetën tre fëmijë dhe një 22-vjeçare shqiptare, pas përplasjes fatale në një aksident me makinë.
Autoritetet italiane bëjnë me dije se shoferi i makinës, 32-vjeçari shqiptar Orjol Lame ka rezultuar pozitiv në testin për alkool dhe drogë.
Nga përplasja e makinës humbi jetën bashkëshortja 22-vjeçare Shane Hyseni, fëmija i tyre Mattias, një vjeç e gjysëm, si dhe vëllai dhe motra e saj Resat dhe Rejana, 9 dhe 11 vjeç.
Mediat italiane bëjnë me dije se ata ishin në një darkë në zonën e Reggio-s, kur me makinë u nisë për të çuar Resta-n dhe Rejanën tek prindërit e tyre në fshatin Casaltone të Parmës.
Nga analizat e kryera në spitalin Santa Maria Nuova në Reggio Emilia, ku i riu ndodhet i shtruar në gjendje kritike, në reanimacion, në gjak janë gjetur droga të ndryshme dhe alkool.
Ai po hetohet për vrasje të shumëfishtë në aksident rrugor nga prokurori Marco Marano i Prokurorisë të Reggios, i cili ka hapur një dosje hetimore për tragjedinë, duke koordinuar hetimet me policinë bashkiake.
Makina Fiat Stilo me të cilën ata udhëtonin ka dalë nga rruga dhe është përplasur me shpejtësi të madhe në një banesë. Gjithashtu rezulton se makina ka qenë e pasiguruar dhe pa kontroll.
Ndërkohë, trupat do të qëndrojnë në Coviolo (Parma) përpara se të nisen për në Shqipëri, ku do të bëhet varrimi.
Pjesa e rrugës ku ndodhi përplasja ka qenë në qendër të polemikave për sigurinë prej disa kohësh.
Një komitet qytetarësh, me banim në Cella, Cadé dhe Gaida, kanë kërkuar prej kohësh kamera shpejtësie dhe zona 30 km/orë, si dhe kontrolle më të mëdha për shkak të aksidenteve të mëparshme, disa herë fatale në këtë zonë.