Vijon përplasja mes kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe analistit Andi Bushati. Bushati iu përgjigj me një shkrim të gjatë, ku e ironizonte si “shitës fiqsh”, por kryebashkiaku Socialist e quajti si një njeri “që është rritur në prehrin e Enver Hoxhës”.
“Jo jo, s’e kam për metaforë letrare, e kam për prehrin real të Enverit e gjithologut që sillet si troll patetik! Mjerë e djathta ku ka degraduar”, shkruan Veliaj teksa poston foton eAndi Bushatit me Enver Hoxhën.
Veliaj ka postuar edhe një pasazh nga libri me kujtime i ish truprojës së Enver Hoxhës, Sulo Gradeci, me titull “30 vjet pranë shokut Enver”, ku i ka kushtuar disa paragrafe edhe gazetarit Andi Bushati kur ishte fëmijë, duke qenë se ai ishte nipi i Hysni Kapos.
Sulo Gradeci shkruan në librin e tij për Andi Bushatin: “Se ç’dashuri kishte shoku Enver për të vegjlit e pamë përsëri kur shoku Hysni Kapo u bë gjysh. Andi, nipi shokut Hysni, nisi të hidhte hapat e parë e të lidhte fjalitë e para dhe shoku Enver gjithmonë e merrte pranë, e puthte, luante me të e mbante në krahë, e shëtiste”.