127 persona janë riregjistruar për të marrë patentën, pasi e kanë humbur atë pas shkeljeve të shumta në qarkullim. Por, nga këta 127, në 2 muaj e gjysmë vetëm 5 ia kanë dalë të marrin patentën, ku sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja nuk ka reflektim nga ana e tyre.
Gonxhja tha se riedukimi në autoshkolla është e vetmja mënyrë që këta persona, pas testimit, të rimarrin patentën.
“S’KA SHPËTIM përveç RIEDUKIMIT për ata që ne i konsiderojmë kontingjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata dhe të tjerët në rrugë, që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i ri nënshtrohen testit teori-praktikë! Koka bën, koka pëson! Konkluzioni: respektoni normat e qarkullimit rrugor”, tha Gonxhja.