Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka arritur më shumë se çdo vend tjetër i Europës në 30 vitet e fundit, krahasuar me gjendjen që kishte vendi, pasi doli nga diktatura komuniste.
I pyetur në një intervistë me “Der Spiegel” pse vendi nuk po bën ende ndonjë përparim të madh me reformat, Rama tha se në “Shqipëri dikur mbahej radhë për një shishe qumësht kurse sot, shqiptarët bëjnë pushime jashtë vendit dhe lëvizin me mjete luksoze”.
“Shqiptarët nuk kanë pasur kurrë një gjyqësor të pavarur nga politika. Nuk kemi pasur kurrë një shtet me traditë solide. Në fund të fundit, ne ishim një diktaturë e izoluar, Koreja e Veriut e Evropës. Prandaj pretendoj se në terma absolutë kemi arritur në këto 30 vite më shumë se çdo vend tjetër në Europë. Imagjinoni ku ishim në fund të diktaturës, jepeshin 4 kg mish për familje në muaj. Në orën një të mëngjesit, njerëzit viheshin në radhë për një shishe qumësht. Dhe shikoni numrin e madh të shqiptarëve që pushojnë sot jashtë vendit apo makinat në rrugë”, tha Rama.