Édgar Escobar Zambrano, një prokuror i njohur në Guayaquil, Ekuador, është vrarë mëngjesin e të hënës në qendër të qytetit. Ai kishte shkuar te këpucari për të lyer këpucët, kur ka parë dy autorët e armatosur që po i afroheshin.
Prokurori Zambrano është përpjekur të largohet por nuk ju ka shpëtuar dot plumbave, duke ndërruar jetë në vend. Autorët u larguan menjëherë me motor por policia ju vu në ndjekje dhe të dy u kapën, siç shihet dhe në pamjet e shpërndarë nga mediat vendase.
Paraprakisht u bë e ditur se të arrestuarit janë 19 dhe 16 vjeç. Édgar Escobar Zambrano ishte prokuror i Njësisë së Personave dhe Garancive të Guayaquil dhe njëkohësisht jepte dhe mësim në Universitet.
Qyteti-port i Guajakilit, konsiderohet kryeqendra e trafikut të drogës, ku një rol mjaft dominant luan dhe mafia shqiptare në bashkëpunim me kartelet meksikane apo kolumbiane. Vitet e fundit, disa shqiptarë janë ekzekutuar për kontrollin e trafikut të drogës.
Prokurori i vrarë gjatë gjithë karrierës së tij ai ishte marrë me raste të ndjeshme vrasjesh, organizata të trafikut të drogës, informacione të rreme, grabitje e të tjera. Këtë vit ai ishte prokuror i Njësisë së Personave dhe Garancive të Guayaquil.
Ndër çështjet e rëndësishme, këtë vit prokurori Édgar Escobar Zambrano ngriti procesin ndaj tetë anëtarëve të dyshuar të një organizate droge përgjegjëse për dërgimin e dërgesave të drogës jashtë vendit.
Pas disa bastisjeve në shtëpitë e kryera në orët e para të së mërkurës, 20 korrik, në Guayas, Los Ríos dhe Imbabura, u raportua sekuestrimi i 200 pakove të drogës.